

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur jo vetëm rrjetet sociale, por edhe botën e biznesit në SHBA.
Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas një skandali publik që shpërtheu gjatë një koncerti të grupit Coldplay në Boston.
Gjatë performancës në stadiumin “Gillette”, përpara më shumë se 55 mijë spektatorëve, fytyrat e buzëqeshura të Byron dhe të Kristin Cabot me të cilën dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore u shfaqën në ekranin gjigant të skenës.
Reagimi i tyre i sikletshëm dhe përpjekja për t’u fshehur nga kamerat u bë virale në internet, duke ndezur diskutime të shumta mbi marrëdhënien e tyre dhe ndikimin në jetën profesionale.
Pas ngjarjes, kompania Astronomer, e vlerësuar me mbi 1.3 miliardë dollarë, publikoi një deklaratë zyrtare ku konfirmonte dorëheqjen e Byron.
“Liderët tanë priten të jenë shembull si në sjellje, ashtu edhe në përgjegjësi. Së fundmi, ky standard nuk u përmbush. Andy Byron ka paraqitur dorëheqjen dhe Bordi e ka pranuar atë”, thuhej në njoftim.
Përkohësisht, detyrën e CEO-s do ta mbajë bashkëthemeluesi dhe drejtori i produktit, Pete DeJoy, ndërsa kompania nis kërkimet për një drejtues të ri.
Byron kishte marrë drejtimin e Astronomer në korrik të vitit 2023, ndërsa kompania njihet si një pionier në fushën e DataOps dhe inteligjencës artificiale.
Megjithëse emri i saj tani është lidhur me një skandal, drejtuesit kanë theksuar se angazhimi ndaj klientëve dhe produktit mbetet i pandryshuar.
Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, ndërsa pamjet nga stadiumi janë parë nga miliona përdorues.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






