Transmetuar më 19-07-2025, 20:31

Shëngjin, 19 Korrik 2025 – Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në shëtitoren e Shëngjinit, ku një 32-vjeçar humbi jetën teksa po punonte në skenën ku mbrëmjen e sotme pritej të mbahej një koncert me pjesëmarrjen e disa artistëve të njohur shqiptarë.

Viktima është identifikuar si Zef Lorenci, banues në fshatin Mërqi të Lezhës. Sipas të dhënave paraprake, i riu ka rënë në kontakt me energjinë elektrike ndërsa punonte në instalimet teknike të skenës. Si pasojë e goditjes elektrike, ai ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga një skelë, rënie që ka rezultuar fatale.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:45 dhe është konfirmuar se në skenën ku ndodhi aksidenti, ishte planifikuar të performonin emra të njohur të muzikës shqiptare, si pjesë e një eventi veror që po zhvillohet në zonën turistike të Shëngjinit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë skenën tashmë të rrethuar me shirita sigurie, ndërsa forcat e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vend për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes. Po verifikohet gjithashtu nëse janë respektuar masat e sigurisë në punë dhe standardet teknike gjatë montimit të pajisjeve elektrike.

Tragjedia ka tronditur organizatorët dhe banorët e zonës, ndërsa nuk dihet ende nëse koncerti i planifikuar do të anulohet apo shtyhet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit