

Elbasan, 19 Korrik 2025 – Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e Labinot-Fushës në Elbasan, ku dy vëllezër të mitur, Françesk Bica (8 vjeç) dhe Darvin Bica (10 vjeç), humbën jetën në mënyrë tragjike pasi u mbytën në lumin Shkumbin.
Dy fëmijët, të cilët ishin duke kullotur bagëtitë bashkë me nënën e tyre, ndaluan pranë lumit për t’u larë, por për fat të keq, nuk arritën të dilnin më në breg për shkak të rrymave të forta. Trupat e tyre të pajetë u gjetën disa orë më vonë në një kanal të lumit nga banorët e zonës.
Sot, familja Bica ka hapur dyert e mortit. Dhimbja është e thellë dhe e papërshkrueshme për familjen dhe komunitetin që i ka njohur dy fëmijët si engjëj të dashur dhe të qeshur.
Në rrjete sociale, familjarë dhe të afërm kanë reaguar me mesazhe të dhimbshme për ndarjen e parakohshme nga jeta të Françeskut dhe Darvinit. “Zemrat e mia, ma këputët shpirtin,” është një ndër reagimet që pasqyron pikëllimin e thellë të familjes.
Mes një dhimbje të pamatë, në orën 16.00 ata u nisën për në banesën e fundit shoqëruar nga një kortezh prej qindra në mos mijëra vetë.
Ngjarja ka hapur sërish diskutimin për sigurinë e fëmijëve pranë zonave ujore dhe nevojën për më shumë vëmendje në ambientet natyrore, veçanërisht gjatë stinës së verës.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






