Transmetuar më 19-07-2025, 11:02

Tiranë, 19 Korrik 2025 – Policia ka zbuluar një rast të rëndë mashtrimi dhe rrezikimi të jetës së konsumatorëve, pas një operacioni në një magazinë në zonën e Vorës, ku u konstatuan produkte ushqimore të përpunuara me afat skadence të kaluar, të rikthyera në treg përmes falsifikimit të etiketave.

Sipas autoriteteve, produktet ishin të skaduara që në muajin janar dhe shkurt të këtij viti, por mbi to ishin vendosur etiketa të reja me data të falsifikuara, me qëllim mashtrimin e konsumatorëve dhe shitjen e mallrave në tregje të ndryshme të vendit.

Të arrestuar në flagrancë:

F. D., 38 vjeç, administrator i magazinës;

A. D., 58 vjeç, magazinier.

Të proceduar penalisht në gjendje të lirë:

S. T., 56 vjeç, ortaku i subjektit tregtar;

A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.

Sipas hetimeve paraprake, subjekti në fjalë operonte në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të mallrave industriale dhe ushqimore. Dyshohet se kishte ngritur një skemë të qëndrueshme, përmes së cilës grumbullonte mallra të skaduara në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, i rietiketonte me data të reja skadence dhe i tregtonte pa dokumentacion tatimor.

Gjatë kontrollit të magazinës, u sekuestruan:

716 koli me mallra të skaduara,

Dhjetëra kilogramë produkte ushqimore të përpunuara me etiketa të falsifikuara.

Çështja i është referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për hetime të mëtejshme për veprat penale:

Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale

Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve

Fshehja e të ardhurave

Mospagimi i taksave dhe tatimeve

Punësim i paligjshëm

Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve

Policia dhe autoritetet përkatëse theksojnë se hetimet do të vijojnë për të identifikuar të gjithë rrjetin e përfshirë dhe për të parandaluar raste të ngjashme që përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë ushqimore në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit