

ELBASAN- Familja Bica në zonën e Labinot Fushës në Elbasan po përjeton një tragjedi të madhe pasi dy fëmijë të mitur të kësaj familjeje u mbytën në lumin Shkumbin. Ndërkohë, një i afërm i familjes ka treguar për mediat detaje nga ngjarja e rëndë.
Konkretisht ai ka treguar se 2 vëllezërit janë gjetur nga roja i një hidrocentrali aty pranë, në një grop të krijuar në ujë në formë prite. Gjithashtu ai ka shtuar se kur u gjendën trupat e të miturve, njërin fëmijë që e kishte polici në krah, e mori dhe i bëri frymëmarrje artificiale, por nuk jepet reagim.
“Isha te puna, pash policinë, pash që po vinin me vrap. Një zotëri që punon te hidrocentrali, njërin fëmijë e kishte në krah. Pash të ëmën që po përplasej këtej, të atin nuk e di nga ikte më… I njoh, i kam njerëzit e mi, u turra dhe unë me vrap. Kanë bagëtitë, i nxjerrin këtej zallit, me ato mbahen. Prindërit mbajnë lopët, këta mbajnë bagëtitë e imëta, delet. Më tutje është bërë një grop e madhe, kanë bërë një pritë, dhe aty i kishte gjet roja i hidrocentralit. Njërin fëmijë e kishte polici në krah, ja mora i bëra frymëmarrje artificiale, nuk jepet reagim fare. Vinin çdo ditë te puna ime mbushnin ujë, rrinin aty kur ishte vap”, tha ai.
Ndërkohë në vendngjarje janë parë edhe fqinjët e familjes Bica, të cilët janë shprehur tejet të shokuar nga ngjarja.
“Ngushëllime familjes, i kam fshatarët e mi. E mora vesh ngjarjen dhe erdha këtu, erdha t’i mbledh bagëtitë. Me bagëti kanë qenë këtej. Fatkeqësi e madhe, më tronditëse nuk ka më”, tha njëri prej fqinjëve.
Elbasan/Informacion paraprak
Në fshatin Labinot Fushë, dyshohet se janë mbytur aksidentalisht në lumin Shkumbin dy fëmijë të moshës 7 dhe 9 vjeç (vëllezër).
Trupat e pajetë po transportohen për ekspertizë mjeko-ligjore.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






