Transmetuar më 18-07-2025, 19:01

SARANDA- Familjarët e të ndjerit Isa Rexhepaj kërkojnë që sa më parë të mund të marrin trupin e tij për të kryer ceremoninë mortore. 65-vjeçari u gjet i vdekur në një kolibe 5 ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjen. Trupi i tij u zbulua mëngjesin e së premtes nga vëllai, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Ndërkohë, edhe pse është kërkuar një ekspertizë më e thelluar mjeko-ligjore në Tiranë, trupi nuk është lëvizur ende nga Saranda. Sipas familjarëve, kufoma ka nisur të dekompozohet për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar pas vdekjes.

Vëllai i të ndjerit shprehet, për News24, se spitali i Sarandës ia kalon përgjegjësinë Policisë së Shtetit, ndërsa kjo e fundit ia vë gishtin Prokurorisë, e ndërsa prokuroria pretendon se përgjegjësia i takon policisë.

“Vajta e mora, kishte katër ditë i vdekur. Lajmërova policinë, erdhi ambulanca dhe e çuan në morg vëllanë. Prokuroria thotë do ta çojmë në Tiranë, por ai nuk mund të çohet se i ka rënë mishi, është nxirë, vjen era kërmë. Jam këtu para morgut, nuk më japin trupin e vëllait. Prokuroria thotë e ka Policia, Policia thotë e ka spitali, spitali thotë e ka Policia. Nuk di çfarë të bëj, unë dua të varros vëllain, t’i bëj adetet e fundit”, thotë vëllai i viktimës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit