

MAQEDONIA E VERIUT- Pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili propozoi një masë të pazakontë për të frenuar rënien demografike, vendosjen e taksave shtesë për beqarët në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer një debat i fortë publik. Mickoski duke folur për krizën demografike në rritje, tha se po shqyrtohen të gjitha opsionet, përfshirë edhe një skemë të mundshme penalizuese për beqarët, për t’i nxitur qytetarët të krijojnë familje.
Ai theksoi se norma e lindjeve ka rënë ndjeshëm në vitin 2024, ndërkohë që vendi ka humbur mbi 33 mijë banorë në katër vitet e fundit si rezultat i rënies natyrore të popullsisë. Kryeministri e përshkroi këtë nismë si pjesë të një lufte shtetformuese për të ndalur shpopullimin dhe për të forcuar familjen si bërthamë sociale.
Gjithashtu deklarate e kryeministrit është pritur me reagime të përziera, ku shumë qytetarë, aktivistë dhe ekspertë e kanë cilësuar idenë si diskriminuese dhe që cenon jetën private. Nga ana tjetër, disa e shohin këtë si një sinjal alarmi, që tregon se kriza demografike në vend është bërë tashmë një emergjencë kombëtare. Deklarata e Mickoskit:
Ky është një rënie prej 4,140 personash vetëm në një vit. Në katër vitet e fundit kemi humbur mbi 33,000 qytetarë, një qytet me madhësinë e Kavadarit ose Kërçovës është zhdukur. Shkalla e lindjeve ka rënë nga 12.5 pikë përqindjeje në vitin 2010 në 8.8 në vitin 2024. Shumë komuna dhe fshatra nuk japin më mësim as në klasën e parë. Më shumë njerëz jetojnë vetëm, më pak martohen, më pak fëmijë lindin.
Gjermania, Italia, Bullgaria, Japonia, Koreja e Jugut, të gjitha këto vende janë përballur me të njëjtin problem për një kohë të gjatë. Po lindin pak fëmijë, popullsia po plaket dhe të rinjtë po kërkojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit për një jetë më të mirë. Por situata jonë është e veçantë. Sepse, ndërsa disa vende po e vënë re këtë fenomen si një trend, për ne është një alarm. Kjo qeveri nuk hesht për problemin. […] E pranon atë. Dhe po e lufton atë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






