Transmetuar më 17-07-2025, 18:30

TIRANA- Eurodeputeti Fredi Beleri ka ankimur në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili në korrik 2024 i ndërpreu mandatin e kryetarit të bashkisë së Himarës.

Sipas Belerit vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me ligjin, pasi ai ka fituar mandatin në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, por nuk e ka ushtruar atë për asnjë ditë për shkak të arrestimit dhe paraburgimit për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Ai ka shtuar se ndërprerja e mandatit nuk mund të bëhet pa respektuar procedurën ligjore dhe pa një vendimmarrje të organeve kompetente, siç parashikohet në Kodin Zgjedhor dhe ligjin për funksionimin e organeve të zgjedhura vendore. Konkretisht Beleri kërkon anulimin e vendimeve përkatëse të KQZ-së dhe njohjen e mandatit të tij si kryetar i ligjshëm i Bashkisë Himarë.

Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet i kandiduar nga Demokracia e Re në zgjedhjet europiane të 9 qershorit 2024. Pas dënimit nga Apeli me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatin e të zgjedhurit si kryetar bashkie në Himarë. Ai u lirua me kusht nga Gjykata e Fierit më 2 shtator 2024.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit