

Policia e Vlorës njofton se ka gjetur armën e zjarrit me të cilën tentoi vetëvrasjen 17-vjeçarja, e cila mbeti e plagosur me një plumb në kokë. Policia bën me dije se arma u gjet e hedhur në një vend grumbullimi materialesh shtëpiake, pranë banesës së gjyshërve të adoleshentes.
Arma e sekuestruar do t’i dërgohet Institutit të Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes.Policia ka arrestuar babain e vajzës, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës. Ai akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Babai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij, gjë që e ka çuar këtë të fundit në një gjendje të rënduar psikologjike dhe e ka shtyrë të tentojë të vetëvritet me armë zjarri, të dyshuar pistoletë.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë gjyshi i të miturës, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”, pasi dyshohet se ka pasur në posedim armën e zjarrit me të cilën vajza ka tentuar vetëvrasjen.
“Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 14.07.2025, në lagjen “Kushtrimi”, ku një 17-vjeçare mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i armës së zjarrit pistoletë, e cila ishte hedhur në një vend grumbullimi materialesh të ndryshme shtëpiake, pranë banesës së gjyshërve të të miturës dhe ndodhej brenda një qeseje plastike. Arma e sekuestruar do t’i dërgohet Institutit të Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






