

KOSOVË – Fermerët kosovarë janë përballur me një goditje të rëndë financiare këtë sezon, pasi gruri po shitet me një çmim tejet të ulët – vetëm 17 cent për kilogram. Ndonëse fushata e korrje-shirjeve ka sjellë rendimente të kënaqshme, çmimi i tregut nuk mbulon as shpenzimet minimale të prodhimit.
Krahas mungesës së subvencioneve, shumë prej bujqve ndihen të braktisur nga institucionet. Fermerët shprehen se, përkundër shpresave për një vit më të mirë, realiteti është zhgënjyes. Vitin e kaluar çmimi i grurit varionte nga 20 deri në 21 cent, ndërsa këtë vit mezi arrin 17-18 cent për kilogram.
“Rendimenti është 5.5 ton për hektar, por nuk jemi të kënaqur me çmimin. Është katastrofë. Vitin tjetër nuk do të kemi as vullnet për të mbjellë, nëse situata vazhdon kështu”, – shprehet një fermer i Lipjanit.
Fermeri Valon Vehapi, i cili ka kultivuar 120 hektarë me grurë, thekson absurditetin e tregut: “Unë nuk kam parë ndonjëherë të shes grurin 17 cent dhe të blej bukën 60 cent. Është ngulfatje e prodhimit vendor. Patriotizmi fillon nga mbrojtja e prodhimit tonë.”
Çmimi i importit më i lirë se ai vendor Sipas Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, mungesa e një burse zyrtare për çmimin e grurit e ka bërë që mullisët të orientojnë blerjet nga tregjet rajonale, përfshirë Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
“Në rajon, çmimi aktual për 1 ton grurë sillet nga 150 deri në 170 euro, ose 15-17 cent për kilogram,” – shpjegon Bashkim Zejnullahu, udhëheqës i Shoqatës.
Cilësia e dobët dhe pastërtia e ulët e grurit vendor përmendet si një tjetër faktor që ndikon në çmimin. Mbeturinat në drithë tejkalojnë shpesh normën e lejuar, çka e devalvon më tej vlerën e tij.
Ekspertët paralajmërojnë: Rrezikohet siguria ushqimore Profesori Imer Rusinovci paralajmëron se, ndonëse këtë vit janë mbjellë mbi 74 mijë hektarë me grurë, prodhimi ende nuk mjafton për të mbuluar tërësisht nevojat vjetore të vendit, të cilat arrijnë në rreth 400 mijë tonë.
“Në mungesë të ndërhyrjes institucionale, fermerët do të ndalojnë prodhimin. Kërkohet reagim i menjëhershëm për kompensim pas zjarreve dhe ndihmë direkte për të mbrojtur sigurinë ushqimore kombëtare,” – thekson ai.
Kosova mbulon vetëm 60% të nevojës vjetore për grurë Sipas Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit është shënuar një rritje me mbi 21 mijë hektarë të sipërfaqes së mbjellë me grurë krahasuar me vitin 2024. Por rendimenti ende nuk është përfundimisht i matur, pasi korrja është në ditët e para.
Ndërkohë, të dhënat e Doganës konfirmojnë se Serbia mbetet eksportuesi kryesor i grurit në Kosovë, me 7.2 milionë euro import vetëm për periudhën janar-maj 2025. Burimi Monitor
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






