Transmetuar më 17-07-2025, 10:55

Shkodër, 17 korrik 2025 – Operacioni policor i koduar “Koordinata” ka çuar në zbulimin dhe asgjësimin e 3,126 bimëve narkotike Cannabis Sativa në disa zona të qarkut Shkodër. Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht dy kryetarë fshatrash dhe një roje mjedisi për shpërdorim detyre.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në bashkëpunim me komisariatet përkatëse, me qëllim goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike në zona të thella dhe të mbuluara nga terreni i vështirë malor.

Në njësitë administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Ana e Malit u gjetën dhe asgjësuan 922 bimë narkotike. Për këtë rast, është proceduar kryetari i fshatit Oblikë, shtetasi S. P.

Ndërsa në Kastrat dhe Kelmend u zbuluan dhe asgjësuan 1,034 bimë kanabis. Pas hetimeve, janë proceduar kryetari i fshatit Selcë, A. D., dhe roja i mjedisit i zonës, P. G.

Në zonat Temal dhe Shllak, Komisariati i Vaut të Dejës sekuestroi dhe asgjësoi 1,170 bimë të tjera kanabisi.

Policia ka theksuar se operacioni “Koordinata” vijon me intensitet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve përgjegjës për kultivimin e paligjshëm të bimëve narkotike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit