Transmetuar më 15-07-2025, 20:46

MAT- Vdekja e Renis Dobrës ka ardhur si pasojë e shtrëngimit me anë të një laku, apo ndryshe strangulimi. Ky është përfundimi që kanë nxjerrë ekspertët e mjekësisë ligjore në aktekspertizën e tyre paraprake ku e përcaktojnë vdekjen si rezultat i asfiksisë mekanike. Që do të thotë se vdekja e Renis Dobrës ka ardhur si pasojë e shtrëngimit me anë të një laku, apo ndryshe strangulimi.

Emisioni ‘Në Shënjestër’ në News24, transmetoi pamje ku vërehen lëvizjet që bënë makinat e autorëve para se të mbërrinin pranë Kroit të Suçit, aty ku ndaluan automjetin e Renis Dobrës. Sipas hetimeve të deritanishme, itinerari i automjeteve të autorëve fillimisht pikaset në Unazën e qytetit të Burrelit, nga ku më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër që lidh këtë qytet me Milotin, apo rrugën e Kombit.

“Bazuar në kqyrjen e kamerave të sigurisë rezulton se autorët e dyshuar të rrëmbimit të 23-vjeçarit, Renis Dobra, kanë lëvizur në Unazën e qytetit të Burrelit dhe më pas kanë hyrë në rrugën e vjetër drejt Shkopetit”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ky mund të ketë qenë itinerari i kthimit të autorëve, pasi kanë rrëmbyer Renis Dobrën, duke pasur parasysh se Kroi i Suçit, ndodhet në dalje të qytetit të Burrelit, në aksin që lidh qytetin me atë të Klosit. Çka të lë të mendosh se ndërkohë rrëmbimi kishte ndodhur dhe makinat tashmë po i drejtoheshin rrugës së vjetër, një pjesë e cila kalon anë liqenit të Shkopetit.

Ashtu sikurse policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga fshati Zenisht deri në hyrje të Burrelit. Aty ku nga pamjet filmike dallohet se në rrugën e vjetër Burrel-Tiranë kanë qarkulluar me shpejtësi njëri pas tjetrit dy automjete. Automjeti i parë që dyshohet se drejtohej nga viktima. Ndërsa autorët e vrasjes e kanë ndjekur nga pas dhe i kanë zënë pritë, duke e ndaluar në rrugë, ku dyshohet se autorët kanë hapur me forcë automjetin e të riut dhe e kanë dhunuar brenda tij.

Ndërkohë fakti që makina e autorëve nuk u ka pa në kthim në këtë aks të lë të dyshosh se itinerari i tyre mund të ketë vazhduar në rrugën e Kombit, ku edhe kanë humbur gjurmët. Por ajo që kanë vënë re hetuesit, është se autorët kanë qenë të kujdesur për të ruajtur çdo detaj që mund t’i identifikonte në sytë e policisë. Siç është edhe fakti që ata kanë mundur të fshehin targat e tyre.

Çka tregon se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar dhe aspak e rastësishme. Dhe se rrëmbimi i Renis Dobrës ka qenë i menduar në çdo detaj dhe jo një punë apo plan i cili mund t’u ketë dalë duarsh. Siç edhe ndodhi në vazhdim ku ata e hodhën trupin në Liqenin e Shkopetit.

“Hetuesit kanë dyshimet e tyre se autorët u kanë hedhur targave të automjeteve një solucion, kjo me qëllim për të mos i bërë të dallueshëm numrat. Ashtu siç në të vërtetë ka ndodhur, pasi numrat nuk dallohen, por duken në ngjyrë gri”, thuhet në dosjen hetimore.

Në lidhje me automjetet e përdorura, ekspertët thonë se ato kanë qenë dy të tilla. Përkatësisht një automjet ‘Honda’ ngjyrë i bardhë dhe një tjetër ‘Range Rover’, ngjyrë e e zezë./ Në Shënjestër, BW

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit