

Tiranë, 15 korrik 2025 – Përplasja e hapur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë Konispol, Erges Dule, ka marrë një tjetër kthesë të fortë, pasi ky i fundit ka refuzuar publikisht të zbatojë urdhrin e shefit të qeverisë për largimin në masë të drejtorëve të bashkive.
Pas paralajmërimit të Ramës se “nëse nuk i shkarkon, atëherë jepe vetë dorëheqjen”, Dule ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale ku sfidon vendimin dhe mbron drejtorët dhe administratën e tij.
“Në Konispol ju siguroj se gjenden përkushtimi, dashuria për vendin dhe çdo ditë bëhet punë. A mjaftojnë këto? Sigurisht që jo. Por s’ka vend për frikë nëse punohet ndershmërisht”, shkruan ai.
Në komentin e tij, Dule rendit disa nga arritjet e bashkisë nën drejtimin e tij, duke përmendur pastrimin e territorit, shuarjen e zjarreve, ndriçimin 100% të qytetit, projektet infrastrukturore dhe ndihmën ndaj qytetarëve për aplikime online.
Por përtej mbrojtjes së drejtorëve, Dule pranon se jo të gjithë punonjësit janë të përkushtuar, duke i hedhur fajin atyre që nuk kanë pasion dhe përgjegjësi për vendin që shërbejnë. Kjo deklaratë bie në kontrast me mbrojtjen që ai u bën drejtorëve, të cilët, sipas Ramës, duhet të largohen për t’i dhënë frymë të re administratës vendore.
Dule mbyll reagimin e tij duke i kërkuar qytetarëve që të shprehin lirshëm mendimet për administratën e Konispolit dhe të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.
Përplasja vjen në një kohë kur kryeministri ka nisur një fushatë për pastrimin e administratës vendore, duke kërkuar shkarkimin e të gjithë drejtorëve të bashkive si pjesë e një reforme të thellë në qeverisjen lokale. Rasti i Konispolit mund të sinjalizojë një çarje të parë publike mes Ramës dhe disa kryetarëve të bashkive.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






