

Dhërmi- Një 20-vjeçar nga Kosova ka ndërruar jetë gjatë pushimeve, në Shqipëri. Anid Hoxha nga Rahoveci ka humbur jetën teksa ka qenë duke luajtur volejboll me shoqërinë e tij në bregdetin e Dhërmiut.
“Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 14.07.2025, pranë një plazhi në Dhërmi, në fushën e volejbollit, dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale shtetasi A. H., 20 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhej me pushime së bashku me shoqërinë e tij”, njofton policia.
Autopsia mjekoligjore për rastin do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes së 20-vjeçarit.
Lajmi për ndarjen nga jeta të Hoxhës e ka bërë të ditur edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të 20-vjeçarit nga Rahoveci, Anid Samir Hoxha. Anidi po qëndronte për pushime në bregdetin shqiptar, së bashku me shokët e tij. Kjo humbje e papritur na preku thellë të gjithëve, familjen, shokët dhe secilin që e njohu Anidin, si djalë të mirë e të dashur. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoxha, miqtë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Qoftë i lehtë dheu për Anidin!”, tha Latifi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






