

Tiranë, 15 korrik 2025 – Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Origjina”, duke sekuestruar katër pasuri me vlerë rreth 287 000 euro, të dyshuara si produkte të veprimtarive kriminale të kryera jashtë vendit.
Në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës për sekuestrimin e 2 apartamenteve dhe 2 automjeteve, në pronësi të shtetasit A. L., 53 vjeç. Pasuritë dyshohet se janë përfituar nga të ardhurat e veprimtarisë kriminale në Itali, ku 53-vjeçari ka qenë i dënuar me 9 vjet burg dhe 60 000 euro gjobë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni u zhvillua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar pasuri të tjera të mundshme të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






