

Tiranë, 15 korrik 2025 – Të gjithë qytetarët që banojnë në territorin e Shqipërisë do të kenë detyrim ligjor të vetëdeklarojnë adresën e banimit apo vendqëndrimit të tyre në portalin zyrtar qeveritar e-Albania, duke ngarkuar dokumentacionin përkatës që vërteton vendbanimin në adresën e deklaruar.
Ky detyrim përcaktohet në një vendim të ri të publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili rregullon mënyrën e paraqitjes së kërkesës, dokumentet që kërkohen dhe procedurat për rastet e ndryshimit apo saktësimit të adresës së qytetarëve, përfshirë edhe ata që ndodhen në institucione shëndetësore apo në vuajtje të dënimit.
Sipas vendimit, për të përfunduar me sukses vetëdeklarimin, qytetari duhet të ngarkojë në sistem një dokument pronësie, kontratë qiraje, kontratë huadhënie ose çdo dokument tjetër ligjor që provon se banon në adresën e deklaruar. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe në rast ndryshimi të adresës.
Zyrat e gjendjes civile kanë për detyrë të verifikojnë brenda 24 orëve vlefshmërinë e dokumentacionit dhe të njoftojnë qytetarin në rast të mungesës së tij, ndërkohë që qytetari duhet ta plotësojë dokumentacionin brenda 3 ditëve.
Një tjetër pikë kyçe e vendimit është se të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, të përputhshme me sistemin kombëtar të adresave. Kur një person kërkon të regjistrohet në një familje ekzistuese, kjo kërkesë duhet të konfirmohet në mënyrë elektronike nga kryefamiljari. Po ashtu, ndryshimi i adresës nga një anëtar i rritur kërkon shkëputje nga familja në sistem.
Institucionet shëndetësore dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale do të kenë detyrim të raportojnë automatikisht në gjendjen civile për qytetarët që qëndrojnë në to për më shumë se tre muaj. Pas daljes, qytetarët duhet të përditësojnë adresën e tyre brenda 5 ditëve.
Ky rregullim i ri synon të garantojë një regjistër më të saktë të adresave dhe të forcojë lidhjen ndërmjet vendbanimit real dhe të dhënave në sistemet shtetërore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






