Transmetuar më 14-07-2025, 19:21

Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për rifreskimin e stafeve vendore, ka nisur një valë dorëheqjesh dhe riorganizimesh në disa prej bashkive të qarkut Shkodër.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka mbledhur pasditen e sotme të gjithë drejtorët dhe administratorët vendorë në një takim urgjent. Në përgjigje të këtij urdhri, të gjithë administratorët e njësive administrative në Bashkinë Shkodër kanë paraqitur dorëheqjet e tyre, të cilat tashmë janë në shqyrtim nga autoritetet lokale.

Nga Bashkia Malësi e Madhe, burime zyrtare bëjnë me dije se kanë dhënë dorëheqjen administratorët e njësive administrative si dhe dy zëvendëskryetarët e bashkisë. Pas këtyre dorëheqjeve, është paralajmëruar zhvillimi i një analize të detajuar për vlerësimin e punës së çdo drejtuesi.

Vendimet për miratimin ose jo të dorëheqjeve pritet të merren në ditët në vijim, pas përfundimit të kësaj analize. Në Bashkinë e Vaut të Dejës, është parashikuar që mbledhja e jashtëzakonshme të mbahet paraditen e së martës.

Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se do të ketë ndryshime në radhët e drejtorëve dhe administratorëve, në përputhje me direktivat e qeverisë qendrore për reformimin e administratës vendore.

Ndryshe paraqitet situata në Bashkitë e Pukës dhe Fushë Arrëzit, të drejtuara nga përfaqësues të opozitës. Kryebashkiakët në këto njësi nuk kanë ndërmarrë hapa për ndryshime, duke mos iu përgjigjur aktualisht thirrjes së kryeministrit për ristrukturim të stafit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit