

Tiranë, 14 korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me dyer të mbyllura me drejtuesit politikë të qarqeve, deputetët dhe përfaqësuesit e bashkisë Tiranë, ku u diskutua edhe mundësia për zgjedhje të parakohshme në disa bashki të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama u shpreh shkurtimisht për situatën në bashkinë e Tiranës, e cila ndodhet pa kryetar që prej arrestimit të Erion Veliajt më 10 shkurt. “Nuk i dihet nëse do kemi zgjedhje të parakohshme në Tiranë tani apo pas dy vitesh”, citohet të ketë thënë kryeministri, duke lënë pezull çështjen e një procesi të parakohshëm zgjedhor për drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.
Gjithashtu, Rama kërkoi nga drejtuesit politikë dhe dy deputetë të ngrinin grupe pune për të rifreskuar burimet njerëzore në të gjitha bashkitë, duke filluar nga ato që janë qendra qarku. Megjithatë, për bashkinë e Tiranës nuk është parashikuar ende një ndërhyrje në staf.
Një tjetër çështje që u ngrit në takim ishte ajo e shërbimeve të e-Albania. Rama ka kërkuar heqjen e licencave të noterëve që ofrojnë këto shërbime me pagesë, duke e konsideruar të papranueshme një praktikë të tillë.
Në përfundim, kreu i qeverisë kërkoi që të mos krijohet konfuzion publik mbi zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, duke theksuar: “Mos u ndikoni tek zgjedhjet e parakohshme në Tiranë nëse do ketë apo jo.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






