

Shkodër, 14 korrik 2025 – Forca e Posaçme Operacionale ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 55”, duke vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin E. F., alias E. C., 40 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi ndaj tij, Prokuroria e Riminit (Itali) kishte lëshuar një urdhër arresti në muajin shkurt 2025, për akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale për trafik droge. Për këtë vepër penale, Kodi Penal italian parashikon dënim deri në 20 vite burgim.
Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse italiane.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






