

SHBA- Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan ka deklaruar se ambasadorja Yuri Kim vazhdon të jetë pjesë e administratës amerikane. Ndonëse është parë duke duartrokitur kolegët që patën ditën e fundit të punës dje, një traditë në disa institucione amerikane, ajo nuk ka qenë pjesë e atij kontigjenti punonjësish.
Zëdhënësi i DASH që foli për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York, u shpreh se pas disa muajsh, Kim do të tërhiqet nga shërbimi diplomatik “pas një karriere të shquar 29 vjeçare”. Zëdhënësi theksoi se largimi i saj nuk ka lidhje me riorganizimin e Departamentit.
“Riorganizimi” që përmendi ai është një reformim i thellë që po i bën institucionit, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e që ka çuar në eliminimin e gati 1,300 vendesh pune në Departamentin e Shtetit dhe shërbimin diplomatik nëpër botë.
Një numër punonjësish të Departamentit të Shtetit dolën në korridor dhe në hyrjen e institucionit për të përcjellë me duartrokitje një pjesë të punonjësve që përfunduan dje punën e tyre. Një prej atyre që duartrokisnin ish-kolegët ishte edhe Ambasadorja Yuri Kim që ka shërbyer për disa vite në Shqipëri si ambasadore e SHBA.
Diplomatja Kim u emërua si Ambasadore në Shqipëri nga Presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë. Pas mbarimit të mandatit si ambasadore në 2023, ka shërbyer si Zv-Asistente Kryesore e Sekretarit të Shtetit. Ajo vijon të jetë Këshilltare e Lartë për Efikasitetin dhe Përgjegjshmërinë në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike sipas një faqe të Departamentit të Shtetit në internet, e postuar në 1 mars 2025.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






