Transmetuar më 13-07-2025, 19:40

Golem- Rreth orës 17:36, në zonën e njohur si "Manhatan" në Golem, Kavajë, ka ndodhur një aksident mes dy mjeteve lundruese, motorëve uji, në një hapësirë detare rreth 800 metra larg perimetrit të sigurisë. Ky aksident ka ndodhur në një zonë të lejuar për lundrim, por jo në zonën e plazhit.

Në përplasjen e ndodhur mes dy motorëve uji, S.D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, duke drejtuar një motor uji, ka përplasur motorin tjetër që drejtohej nga P.B., 31 vjeç, lindur në Kosovë. Si pasojë e përplasjes, P.B. ka pësuar dëmtime dhe është transportuar menjëherë në spital nga shërbimet e Policisë Kufitare, që po monitoronin hapësirën detare. Sipas informacionit të fundit, shtetasi P.B. është jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana tjetër, S.D. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për të vijuar me veprimet e nevojshme procedurale.

Sipas verifikimeve paraprake, të dy drejtuesit e motorëve uji kanë qenë të pajisur me jelekë shpëtimi në momentin e aksidentit dhe kanë qenë duke lundruar së bashku në zonën detare.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në përplasjen e dy motorëve uji.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit