

Në një rast të paprecedentë, një vëlla dhe motër shqiptarë janë dënuar nga gjykata në Londër për përdorimin e informacioneve të brendshme për të realizuar fitime të paligjshme në tregjet financiare. Redinel Korfuzi, një ish-analist financiar me pagë të majme, u dënua me 6 vjet burg, ndërsa motra e tij, Oerta, mori një dënim prej 5 vjetësh pas një procesi gjyqësor të gjatë.
Në vitin 2021, Redinel, i cili kishte qasje të drejtpërdrejtë në informacione konfidenciale të kompanive financiare, i dha motrës së tij informacion të ndaluar për të manipuluar tregun dhe përfituar nga tregtimi i aksioneve, duke arritur të grumbullonin një shumë të madhe prej 1 milion paund.
Sipas gjykatës, ky ishte një rast i pashembullt i lakmisë dhe arrogancës, ku dyshja menduan se ishin të mençur mjaftueshëm për të shmangur kapjen. Megjithatë, "gjurmët digjitale" që lanë pas përdorimit të llogarive të ndryshme për të kryer transaksione të paligjshme u bëri të mundur autoriteteve të zbulojnë mashtrimin e tyre.
Gjykatësi i çështjes, Alexander Milne, deklaroi gjatë shpalljes së dënimit se “të dyve ju shkoi mendja se mund të shmangnin ndëshkimin, por ky është një shembull i qartë i pasojave të lakmisë dhe mashtrimit.”
Ky rast është një paralajmërim për ata që mendojnë se mund të manipulojnë tregjet dhe të arrijnë përfitime të paligjshme përmes informacionit të brendshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






