

Theth, 12 Korrik 2025- Klodian Harusha, 23 vjeç, la pas një karrierë si futbollist në Itali dhe u kthye në Shqipëri me besimin se mund të ndërtonte një të ardhme në atdhe. Frymëzuar nga thirrja e kryeministrit Edi Rama që të rinjtë të kthehen për të investuar në vendlindje, ai vendosi të hapte një biznes të vogël në zonën turistike të Thethit. Por sot, ai ndodhet përballë një realitet të hidhur: objekti i tij është në listën e shembjeve nga IKMT, ndërsa ndaj tij është vendosur një gjobë prej 58 mijë eurosh.
“Kam investuar rreth 7 mijë euro, kursimet e mia si emigrant. Besova tek fjala e kryeministrit që na ftoi të rikthehemi e të ndërtojmë në tokën e të parëve. Sot jam përballë shembjes së ëndrrës sime dhe i mbuluar nga borxhet,” – thotë i riu, i cili përveç investimit të humbur, tashmë përballet me një detyrim financiar që i kalon 90 mijë euro.
Harusha shpjegon se kishte ndjekur procedurat për të regjistruar biznesin dhe për të vepruar me leje të rregullta, por sipas tij, burokracia dhe mungesa e informacionit nga institucionet lokale e penguan të përfitonte nga e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”.
“Kam shkuar disa herë në bashki, më kanë nxjerrë jashtë, duke më thënë të kërkoj informacion diku tjetër. Nuk më kanë dhënë asnjë udhëzim konkret. Kam ndërtuar diçka prej druri, e çmontueshme, por më trajtuan si të isha shkelës i ligjit.”
Objekti i ndërtuar me strukturë prej druri dhe funksional prej më shumë se një viti është tanimë i rrezikuar nga shembja. Harusha ndodhet në një pozitë pa dalje:
“Jam i zhgënjyer. U ktheva për të ndërtuar një jetë në Shqipëri, por sot s’di ku të drejtohem. Jam i detyruar të largohem përsëri.”
Pak muaj më parë, kryeministri Rama theksoi në disa dalje publike rëndësinë e kthimit të të rinjve nga emigrimi dhe promovoi “Paketën e Maleve” si një instrument për të zhvilluar turizmin malor. Por rasti i Harushës ngre pikëpyetje mbi zbatimin praktik të kësaj politike, si dhe komunikimin mes institucioneve dhe qytetarëve që përpiqen të ndjekin rrugën e ligjshme të investimit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






