

BOSNJE- Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, të mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçari.
Në këtë përvjetor delegacioni i Kosovës bëri nderime pranë varrezave të viktimave dhe vendosi lule në kujtim të 8,372 burrave dhe djemve boshnjakë që u vranë mizorisht më 1995 nga forcat serbe, në atë që njihet si gjenocidi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Kurti dhe delegacioni qeveritar vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, një instalacion i kuruar nga Aziz Osmanoviç, që ilustron përmes objekteve personale, dhimbjen dhe historitë e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit.
Në deklaratën e tij, Kurti theksoi se Srebrenica ishte jo vetëm dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviç por edhe paralajmërim për projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë. Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të qenë zë i së vërtetës dhe kujtesës historike, në solidaritet të plotë me viktimat dhe familjet e tyre.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka shpallur 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë, duke i dhënë kësaj date një rëndësi shtetërore dhe institucionale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






