

Durrës, 11 korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar sot nga Durrësi shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative në vend, duke vendosur si afat përfundimtar ditën e hënë. Lëvizja vjen në kuadër të një reformimi të thellë të administratës vendore.
Në Durrës, procesi ka nisur që një ditë më parë. Në përputhje me kërkesat e një takimi të zhvilluar tri ditë më parë në Bashkinë e qytetit, administratorët e pesë njësive administrative kanë dhënë dorëheqjen: Kadri Gjyla (Ishëm), Edlir Cërri (Sukth), Muharrem Sula (Manëz), Eltion Preni (Katund i Ri) dhe Albert Bukaçi (Rrashbull).
Po ashtu, janë larguar nga detyra administratorët e gjashtë rajoneve urbane të Durrësit: Roland Çobani, Ilir Ngresi, Myslym Hasanaj, Davide Ndoi, Jurgen Tabaku dhe Jetmir Pupla.
Dorëheqjet kanë përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm drejtorësh në Bashkinë e Durrësit dhe në drejtoritë rajonale. Ata do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi nga një komision i posaçëm i drejtuar nga kryebashkiakja Emiriana Sako.
Sipas burimeve nga Partia Socialiste në Durrës, për drejtuesit e rinj do të shqyrtohen jo vetëm kandidatura të reja, por edhe disa prej drejtorëve të dorëhequr që mund të rikthehen, si dhe ish-kandidatë për deputetë në qarkun e Durrësit që nuk arritën të siguronin mandat në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas ultimatumit gjatë takimit me krzebashkiakët sot, të tjerët në mbarë vendin duhet të japin dorëheqjen brenda së hënës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






