Transmetuar më 11-07-2025, 12:13

Policia e Dibrës ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit antidrogë të koduar “Pritja”, duke vënë në pranga një tjetër person të shpallur në kërkim. I arrestuari është shtetasi Edison Ndoja, 29 vjeç, banues në zonën e Alliasit, në Tiranë.

Ndoja ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të këtij operacioni që ka për qëllim goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së drogës në qarkun e Dibrës dhe më gjerë.

Arrestimi i tij u bë i mundur pas bashkëpunimit mes Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër dhe Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, pas administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit.

Me këtë arrestim, shkon në dy numri i personave të ndaluar deri tani në kuadër të operacionit “Pritja”.

Policia bën të ditur se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit