

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke kërkuar nisjen e procedurës disiplinore ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli.
Shkak për këtë kërkesë është vendimi i prokurores për të mos filluar hetimet penale lidhur me ndërtimin pa leje të 10 kabinave turistike në zonën e mbrojtur të Thethit.
Si nisi çështja
Më 7 korrik 2025, në media u raportua për vendosjen e 10 kabinave/kontejnerëve në lagjen Fushë-Theth, në pronën e shtetases Lene Prroni, pa leje ndërtimi apo dokumentacion ligjor. Kontrolli i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Shkodër, i zhvilluar më 29 prill 2025, konstatoi ndërtimin e paligjshëm dhe për këtë u hartua një procesverbal, u pezulluan punimet, u vendos prishja e objekteve dhe u aplikua gjobë administrative.
Në vijim, më 30 prill 2025, IMT njoftoi Policinë e Shkodrës për rastin. Komisariati i Policisë referoi çështjen pranë Prokurorisë së Shkodrës me kallëzim penal për veprën penale "Ndërtim i paligjshëm", parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetases Prroni.
Vendim i diskutueshëm i prokurores?
Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Drejtësisë, prokurorja Elsa Gjeli, vetëm 48 orë pas regjistrimit të kallëzimit penal, më 30 maj 2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal. Kjo vendimmarrje u mor pa kryer asnjë veprim hetimor, pa dëshmi, pa verifikim në terren dhe pa analizë të provave materiale.
Ministri Manja e cilëson këtë vendim të nxituar dhe në kundërshtim me standardet e hetimit penal, ndaj ka kërkuar që organet përkatëse të verifikojnë veprimtarinë e prokurores Gjeli dhe të shqyrtojnë mundësinë për masë disiplinore ndaj saj.
Qëndrimet e Ministrisë së Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë thekson se vendimi i prokurores Gjeli është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe praktikën e Gjykatës së Lartë. Argumentet kryesore janë:
Moskryerja e hetimeve të thelluara
Prokurorja vendosi mosfillimin brenda 48 orëve, pa kryer asnjë verifikim pranë organeve kompetente shtetërore që merren me administrimin e territorit. Ministria thekson se rasti i ndërtimit pa leje, veçanërisht në zona si Thethi, është kompleks dhe kërkon hetime të thelluara (këqyrje vendi, ekspertime, marrje deklarimesh). Referimi në ligj të shfuqizuar
Prokurorja i është referuar ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i cili është shfuqizuar nga ligji nr.20/2020. Ky referim tregon “varfëri intelektuale në njohuritë mbi ligjin, mungesë trajnimi vazhdues në fushën e ligjit, njohuri të cunguara në fushën e ligjit dhe paaftësi profesionale.” Mungesa e analizës së kuadrit ligjor të plotë
Prokurorja nuk ka analizuar ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe kërkesat specifike për ndërtime në zona të mbrojtura ose me përparësi për turizmin, siç është Thethi (zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit dhe pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”).
Paragjykim i hetimit dhe tejkalim i misionit
Vendimi i prokurores tregon “nxitim dhe paragjykim të hetimit, me një tendencë të qartë për të mos ushtruar ndjekje penale”. Ministria thekson se misioni i prokurorit është të hetojë dhe të mbledhë prova, jo të japë një interpretim juridik përfundimtar të ligjit material pa kryer hetim.
Konkluzion i gabuar mbi anën subjektive
Është e papranueshme që prokurorja të konkludojë për mungesën e fajit si element i veprës penale vetëm duke analizuar materialin kallëzues, pa kryer veprime hetimore dhe pa marrë në konsideratë praktikën dhe jurisprudencën e Gjykatës së Lartë.
Ministria e Drejtësisë citon vendime të Gjykatës së Lartë (si vendimi nr. 00-2023-948 (104), datë 30.3.2023 dhe vendimi nr. 00-2024-1448 (209), datë 17.9.2024), të cilat theksojnë se vendimet për mosfillimin e procedimit penal duhet të merren brenda 15 ditëve dhe vetëm kur ekzistojnë rrethana të qarta dhe taksative që nuk kërkojnë hetime të thelluara. Në rastin konkret, çështja paraqitet komplekse dhe kërkon hetim të thelluar.
Kërkesa e Ministrisë bazohet në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, Kushtetutës dhe ligjeve të tjera që rregullojnë rolin dhe funksionin e prokurorit, duke vlerësuar se vendimi i prokurores Gjeli ka cenuar rregullat e ushtrimit të hetimit dhe duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të thelluar nga ILD.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






