

Tiranë, 2025 – Pensionet e pleqërisë të lidhura gjatë vitit 2024 rezultojnë dukshëm më të ulëta se pensionet ekzistuese. Sipas të dhënave zyrtare, përfituesit e rinj kanë marrë mesatarisht 17,022 lekë në muaj, rreth 13% më pak se pensioni mesatar kombëtar prej 19,609 lekësh.
Kjo diferencë prej afro 2,600 lekësh thekson një prirje shqetësuese që mund të ketë pasoja afatgjata për mirëqenien sociale dhe ekonomike të të moshuarve të rinj. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, rënia e pensioneve të reja lidhet me periudha të paplotësuara sigurimi, të shkaktuara kryesisht nga niveli i lartë i informalitetit në tregun e punës gjatë dekadave të fundit.
Një tjetër faktor vendimtar është mungesa e viteve të mjaftueshme të sigurimit. Në vitin 2024, për të përfituar pension të plotë duheshin mbi 38 vite kontribute, ndërsa përfituesit e rinj kishin mesatarisht vetëm 26.7 vite sigurim. Si pasojë, mbi 52% e pensioneve të pleqërisë të lidhura gjatë vitit 2024 ishin të pjesshme – një rritje krahasuar me 49.7% në vitin 2023.
Reforma e nisur në vitin 2015 parashikon që deri në vitin 2032, vitet e kontributit të arrijnë në 40, ndërsa mosha e daljes në pension për gratë të barazohet me atë të burrave, për të përfunduar në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.
Ekspertët theksojnë nevojën për politika të integruara që adresojnë informalitetin në punësim, rishikimin e formulës së pensioneve dhe masa fiskale mbështetëse. Në të kundërt, hendeku mes pensioneve të reja dhe atyre ekzistuese pritet të thellohet, duke rrezikuar që brezat e ardhshëm të pensionistëve të përballen me të ardhura gjithnjë e më të ulëta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






