

Tekniku i Vllaznisë, Edi Martini, ka komentuar humbjen 1-0 në ndeshjen ndaj Daugavpils në kuadër të Conference League, duke shprehur pakënaqësinë e tij për rezultatet, por edhe besimin se ekipi mund të rikuperojë në ndeshjen e kthimit.
"Natyrisht që jam i mërzitur, pasi kishim disa mundësi dhe duhej të shënonim. E zotëruam tërësisht lojën, por pësuam një gol në fund që mund ta kishim evituar. Kemi ndryshuar 4 lojtarë në formacion që nga muaji i kaluar dhe nuk ia dolëm të mbajmë ritmin e lojës", u shpreh Martini.
Trajneri i Vllaznisë u shpreh se një rezultat 0-0 do të ishte më i mirë se humbja 1-0, por mbetet optimist për ndeshjen e kthimit: "Sido që të dalë kjo ndeshje, kemi edhe një ndeshje tjetër. Kam besim te djemtë dhe mendoj se mund ta kthejmë këtë rezultat. Ky është një ekip i vështirë, që mbrojnë shumë mirë, sidomos kur futen 10 lojtarë në zonën e 30 metërshit. Megjithatë, 1-0 është një rezultat që mund ta kthejmë. Mendoj se jemi më lart se ata."
Në fund, Martini bëri të ditur se ekipi po priste përforcime të tjera: "Po presim disa lojtarë dhe jemi në bisedime me disa prej tyre. Është e domosdoshme të kalojmë këtë tur, jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për financat e klubit. Pavarësisht gjithçkaje, do të luftojmë deri në fund për kualifikimin."
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






