

Tiranë, 10 Korrik 2025 – Shqipëria po përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë, ndërsa numri i të rinjve vazhdon të bjerë ndjeshëm. Të dhënat më të fundit nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë se grupmosha mbi 60 vjeç përbën tashmë 30% të popullsisë së vendit, ose 691,788 persona nga një total prej 2.36 milionësh.
Krahasuar me vitin 2023, kur kjo përqindje ishte 28.15%, rritja është e ndjeshme. Ndërkohë, popullsia totale ka pësuar rënie me mbi 27 mijë banorë brenda një viti. Më alarmante është tkurrja e popullsisë së re (0–29 vjeç), që ka rënë me mbi 30 mijë persona, ose më shumë se 4%.
Rritja më e madhe është regjistruar në grupmoshat 65–69 dhe 75–79 vjeç, si dhe tek të moshuarit mbi 85 vjeç, ku numri është rritur me më shumë se 3,000 individë në vetëm një vit, një sinjal për rritjen e jetëgjatësisë.
Ky ndryshim i strukturës demografike përbën sfidë serioze për qëndrueshmërinë e skemave të pensioneve dhe sistemin shëndetësor. Ekspertët paralajmërojnë se, në mungesë të politikave konkrete, vendi rrezikon të përballet me pasoja afatgjata në zhvillimin ekonomik dhe social.
Rekomandimet përfshijnë masa nxitëse për lindshmërinë, kthimin e emigrantëve të rinj dhe investime në kujdesin për të moshuarit, si dhe një adaptim të politikave publike me realitetin e ri të tranzicionit demografik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






