Transmetuar më 09-07-2025, 22:08

Bruksel- Raporti i BE për Shqipërinë: Vlerësime për SPAK-un, kritika për KLP-në, KLGJ-në dhe komisionin XhafajBruksel, 9 korrik 2025 — Parlamenti Europian ka miratuar raportin e fundit për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, ku vlerësohet progresi i bërë, por nënvizohet nevoja për përshpejtimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Në raportin prej 18 faqesh, një vëmendje e veçantë i kushtohet funksionimit të sistemit të drejtësisë pas procesit të vetingut, ku shprehen shqetësime për mungesën e transparencës dhe efektivitetit në dy organet kryesore: Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“KLGJ-së i mungojnë rregullat e brendshme për të ushtruar funksionet në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim të menjëhershëm. Asnjëri nga këto dy institucione nuk ka miratuar rregullore për menaxhimin e konflikteve të interesit të anëtarëve të vet,” thuhet në raport.

Ndërkohë, vlerësimi më i lartë i është dhënë SPAK-ut, i cili konsiderohet një nga institucionet më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet e larta të pushtetit.

“SPAK ka treguar pavarësi, qasje strategjike dhe rezultate të prekshme, pavarësisht presioneve politike dhe ndikimit të grupeve të krimit të organizuar. Duhet garantuar mbështetje e plotë dhe mosndërhyrje në punën e tij,” thekson raporti.

Shqetësime janë ngritur edhe për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku vihet në dukje pasiguria ligjore në procesin e rinovimit të saj dhe moszbatimi i disa vendimeve nga institucionet shtetërore, përfshirë Kuvendin.

Kritika janë adresuar edhe ndaj Komisionit për Reformën në Drejtësi, i njohur si “Komisioni Xhafaj”, për të cilin thuhet se ka pasur mangësi në ndikimin real për thellimin e reformës.

Në përmbyllje, eurodeputetët riafirmojnë mbështetjen për objektivin e Shqipërisë që të përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, por theksojnë nevojën për hapa më të guximshëm dhe të qëndrueshëm në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit