Transmetuar më 09-07-2025, 15:49

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale herë pas here postime të aksionit të lirimit të hapësirave publikë në Tiranë dhe qytetet e tjera. Në postimin më të fundit, Rama ndau foto nga zona e 21 Dhjetorit në kryeqytet, ku shprehet se kjo hapësirë publike nuk është më "tok e xanun". Kryeministri është shprehur dhe në daljet se këto hapësira publike të zaptuara nga bizneset ishin kthyer në barrikada për njerëzit.

Por duket se edhe pas lirimit, tavolinat e bizneseve do të zëvendësohen shpejt me diçka tjetër dhe sërish nuk do të ketë hapësirë publike. Vetë kryeministri u shpreh në postimin e tij se këto zona do të mbushen me projekte të reja komunitare. Më tej ai shton se për këto projekte do të kontribuojnë falas me idetë e tyre mbi 100 arkitektëve të mirënjohur ndërkombëtarë që punojnë edhe në Shqipëri.

Në ditët e para të muajit korrik kryeministri Edi Rama bërë një vizitë të befasishme në bashkinë e Vlorës duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve në këtë bashki për moskompetencë e që lidhej kryesisht me atë që e cilësoi më vonë si zaptimin e hapësirave publike. Gjatë vizitës Rama u ka bërë thirrje deputetëve në largim e atyre të zgjedhur dhe drejtuesve vendorë të dalin në terren dhe t’ju japin zgjidhjeve problemeve të qytetarëve, duke i takuar nga afër. Gjithashtu ai iu ka dhënë ultimatum që brenda dy javëve të kenë gati raportin me punën e bërë.

Ndërkohë më 8 korrik Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit dhe Durrësit në institucionet që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrën. Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për menaxhimin e hapësirave publike të zaptuara. Po në këto ditë të para të korrikut 2025 nisi dhe një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje. Në këtë rast Rama akuzon prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje. Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit