

Tiranë, 9 korrik 2025 – Ish- deputeti i Partisë Demokratike, Dash Sula, ka reaguar me ironi dhe shqetësim pas lirimit nga burgu të kolegut të tij, ish-deputetit Ervin Salianji, duke vënë në pah mungesën e mbështetjes nga lidershipi i PD-së në një moment që, sipas tij, duhej të ishte festë për të gjithë demokratët.
Në një deklaratë të publikuar pas daljes së Salianjit nga burgu, Sula thekson se lirimi pas gati 10 muajsh burgim politik, duhej të shënonte një kthesë për Partinë Demokratike, por përkundrazi, sipas tij, nxori në pah ndasitë e brendshme dhe mungesën e solidaritetit.
“E përcollën me ‘oiiiii’, e pritën me xhelozi,” u shpreh Sula me ironi, duke nënvizuar se për Salianjin, “show me pranga është një medalje sakrifice në interes publik”.
Ai thekson se, ndryshe nga pritshmëritë, Salianji, sapo doli nga burgu, nuk u drejtua fillimisht drejt familjes së tij biologjike, por tek “familja politike”, për të takuar bashkëluftëtarët në PD. Por në vend të një pritjeje dinjitoze, ai u përball me një heshtje domethënëse.
“Asnjë nga udhëheqësia nuk denjoi ta priste. Nuk e kuptoj ku shkuan të gjithë ata ‘të devotshmit’ që ishin gati të ngujoheshin për të mos e lejuar të dënohej,” shton Sula.
Deputeti demokrat ngriti dyshime mbi motivet e sjelljes së lidershipit të PD-së, duke thënë se “disa drejtues dukeshin më të gëzuar kur Salianji po shkonte në burg se sa tani që doli prej tij”.
Sipas Sulës, kjo tregon krizën e thellë të vlerave në krye të partisë dhe dëshirën për të ruajtur “statuskuon”, në vend të një strategjie për fitore dhe bashkim. Ai sugjeron se mungesa e pritjes për Salianjin mund të lidhet me faktin që ai është një kandidat potencial për poste të rëndësishme brenda PD-së, çka ka nxitur xhelozi dhe përpjekje për ta sfumuar.
“PD dëshmon edhe një herë se nuk synon maksimalizim, por ruajtjen e posteve dhe grindjet e brendshme. Janë luftëtarët më të paepur për të luftuar njëri-tjetrin,” përfundon Sula në reagimin e tij.
Postimi i Dash Sulës:
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






