

Gjykata e Apelit në Greqi ka konfirmuar burgimin e përjetshëm për 44-vjeçarin Florand Shehu i cili në korrik të vitit 2021 vrau me gjakftohtësi bashkëshorten e tij 31-vjeçare, Anisa, në banesën e tyre në zonën e Dafinës në Athinë.
Shqiptari u shpall fajtor unanimisht për akuzat e vrasjes me paramendim në gjendje të qetë shpirtërore, si dhe për mbajtje dhe përdorim armësh, pa iu njohur asnjë rrethanë lehtësuese nga trupi gjykues.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 korrik 2021, kur autori e goditi gruan me një thikë 28 cm në zonën e qafës, duke i shkaktuar vdekjen.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, nuk kishte shenja rezistence, çka tregon se viktima mund të ketë qenë shtrirë në shtrat dhe e papërgatitur për sulmin.
Çifti kishte një djalë të vogël dhe jetonte në lagjen Haravgi të Dafinës, ku autori kishte një biznes të vogël, një fast-food në sheshin kryesor të zonës.
Sipas deklarimeve të fqinjëve për mediat greke, marrëdhënia mes çiftit ishte konfliktuale, me debate të vazhdueshme dhe xhelozi të theksuar nga ana e burrit.
Shpesh dëgjoheshin thirrje për ndihmë nga apartamenti i tyre.
Avokati i familjes së viktimës, Ioannis Glykas, u shpreh se gjatë seancës gjyqësore, i akuzuari tentoi të justifikonte veprën, duke ngritur pretendime të pabazuara për një lidhje jashtëmartesore të bashkëshortes, të cilat nuk u provuan kurrë dhe u refuzuan nga gjykata.
“Sjellja e tij u konsiderua krejtësisht e papranueshme dhe gjykata nuk i njohu asnjë rrethanë lehtësuese”, deklaroi avokati.
Në përfundim të deklaratës, Glykas shtoi: “Ky vendim nuk e rikthen dot jetën e humbur, por përbën një mesazh të qartë drejtësie dhe besimi në shtetin ligjor.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






