

Durrës, 8 korrik 2025 – Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim prej dy muajsh për plagosje të rëndë me dashje. I riu kishte goditur me thikë një person më 14 maj 2025 dhe kishte qenë në arrati deri në lokalizimin e tij nga forcat e rendit.
Operacioni policor i koduar “Wanted” u zhvillua në lagjen nr. 8 të qytetit të Durrësit, ku 17-vjeçari u lokalizua dhe u vu në pranga nga specialistët e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet operacionale dhe Komisariatin e Policisë Durrës.
Sipas burimeve zyrtare, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës kishte caktuar ndaj të miturit masën e sigurisë “arrest me burg”, pas akuzës për plagosjen e shtetasit F. R. me mjet prerës.
Materialet për këtë ngjarje janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






