

Tiranë, 8 korrik 2025 – Parlamenti ka miratuar ndryshimet e mes-vitit në buxhetin e shtetit për vitin 2025, të cilat reflektojnë një zhvendosje të prioriteteve financiare, duke rritur fondet për infrastrukturën dhe duke reduktuar ato për sektorët jetikë si arsimi dhe shëndetësia.
Sipas Aktit Normativ nr. 6, buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është rritur me 2.85 miliardë lekë, duke arritur në një total prej 76.88 miliardë lekësh, një rritje prej 4% në krahasim me fillimin e vitit. Pjesa më e madhe e kësaj shtese i është dedikuar transportit rrugor, me 2 miliardë lekë më shumë (+6.6%), si dhe sektorit të ujësjellës-kanalizimeve (+864 milionë lekë ose +6.1%). Mbështetja për energjinë është rritur me 200 milionë lekë, ndërsa transporti hekurudhor ka pësuar një ulje prej 393 milionë lekësh (-6.5%).
Në të kundërt, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka pësuar një ulje prej 100 milionë lekësh. Brenda saj, arsimi universitar është shkurtuar me 300 milionë lekë (-2%), ndërsa fondet për kërkimin shkencor janë rritur me 100 milionë lekë (+7%).
Ndryshime të ndjeshme janë bërë edhe në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila ka pësuar një ulje totale prej 1 miliard lekësh (-1.3%). Më e prekur është hallka e kujdesit parësor, e cila është shkurtuar me 1.3 miliardë lekë (-19.3%), një zhvillim që mund të dëmtojë ndjeshëm aksesin e qytetarëve në shërbimet bazë shëndetësore. Shërbimet e Shëndetit Publik gjithashtu kanë pësuar një ulje prej 334 milionë lekësh (-6.7%).
Ekspertët kanë shprehur shqetësimin se shkurtimi i fondeve për arsimin dhe shëndetësinë bie ndesh me nevojën për investime në kapitalin njerëzor, të domosdoshëm për frenimin e emigracionit dhe rritjen e produktivitetit. Ndërkohë, qeveria vijon të mbajë fokusin te infrastruktura fizike si prioritet i politikave të saj zhvillimore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






