

Policia e Shtetit – BKA, gurë të tjerë në themelet e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dypalësh
100 000 euro pajisje të teknologjisë së lartë (kompjuterë dhe monitorë profesionalë) i dhurohen Policisë së Shtetit nga Zyra Federale Kriminale Gjermane (BKA).
Donacioni u përshëndet gjatë një ceremonie të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Ilir Proda, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Sh. T. Z. Karlfried Bergner, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Proda falënderoi Ambasadorin dhe BKA-në për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite dhe theksoi se pajisjet e dhuruara do të përdoren me përgjegjësi të plotë nga strukturat e specializuara, për përmbushjen me efikasitet të detyrave funksionale.
Nga ana e tij, Ambasadori Bergner nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve, në përballjen me sfidat e krimit të organizuar, si dhe siguroi vazhdimin e mbështetjes për Policinë shqiptare, përfshirë asistencën teknologjike dhe logjistike.
Donacioni me vlerë të përgjithshme prej rreth 100 000 euro përfshin pajisje të teknologjisë së lartë – kompjuterë të fuqishëm dhe monitorë profesionalë – të cilat do të përdoren nga Drejtoria e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






