

Prokuroria e Shkodrës ka reaguar sot, pak orë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, se nuk janë nisur hetimet për ndërtimet pa leje në Theth. Më herët, kryeministri deklaroi se prokurorja Elsa Gjeli, duke shkelur ligjin, nuk ka pranuar të nisë procedim penal për atë që ai e cilësoi “masakër mjedisore”. Bëhet fjalë për vendosje kioskat hotelerie në zemër të Thethit, pikërisht tek pllaja e gjelbëruar që është imazhi i kësaj pike turistike.

Në reagim, Prokuroria e Shkodrës shprehet se vendimi i marrë nga Gjeli është në përputhje me ligjin, duke vlerësuar se “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.
REAGIMI I PROKURORISË SHKODËR:
Nisur nga deklaratat publike të bëra nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, ku është komentuar vendimi i një Prokurori të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, sqarojmë opinionin publik, si më poshtë vijon:
Vendimi i datës 30.05.2025 i Prokurores zj.Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”.
Në rastin konkret, nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal, për arsyen se:
Strukturat e konstatuara dhe që janë referuar nga policia kanë qenë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.
Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, është shprehur se kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera.
Sipas nenit 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake.
Vetë IMT, Bashkia Shkodër, në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore, e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale, dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet që kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit.
Në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale, dhe prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin.
Në një shtet të së drejtës, pavarësia funksionale e prokurorit garantohet nga Kushtetuta dhe nga ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara, dhe jashtë çdo ndikimi të jashtëm politik. Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cënon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.
Respektimi i ndarjes së pushteteve është themel i funksionimit të shtetit demokratik dhe ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të institucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të perceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione.
Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor, që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera.
Prokuroria mbetet e angazhuar për të kryer funksionin e saj në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin..07/7/2025.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






