

Një tjetër shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është vënë në pranga falë bashkëpunimit mes FAST Albania dhe autoriteteve të Kroacisë dhe Italisë.
I arrestuari është Arjan Toçi, 23 vjeç, banues në Peshkopi.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, me urdhër-arrest të Gjykatës së L’Aquilas, për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, në kuadër të një organizate kriminale.
Operacioni u realizua në territorin e Kroacisë, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale përmes rrjetit ENFAST, një strukturë bashkëpunimi europian për kapjen e personave në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Kontribut konkret i FAST Albania, nëpërmjet rrjetit ENFAST, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Kroacisë dhe FAST Italisë, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi, në territorin e Kroacisë, i shtetasit shqiptar A. T., 23 vjeç, banues në Peshkopi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake e L’Aquilas, Itali, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian.
Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vënien e tyre përpara drejtësisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






