

KAS do të mblidhet sot në orën 11:00 për të vendosur nëse do të quhen apo të vlefshme rezultatet e zgjedhjeve në katër qarqet e mbetura Elbasan, Tiranë, Fier dhe Durrës. Vendimi do të merret pas tre javësh rinumërim, ku u rihapën disa kuti të Elbasanit dhe të Durrësit si dhe kontrolloi plotësisht votat e dy qarqeve Tiranë e Fier.
PD ankimoi rezultatet e zgjedhjeve nëpër qarqe duke kërkuar pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Por në tetë prej qarqeve, kërkesa u rrëzua, ndërsa rezultati u certifikua nga KQZ. Ndërkohë për të tjerët u vendos rinumërim, një proces ku rezultoi se PD ishte partia që humbi më shumë vota, por me ndikim të papërfillshëm.
Të premten u mbyll rinumërimi i kutive të Durrësit, 85 prej të cilave ishin të diasporës, ku nuk u prodhua asnjë ndryshim në rezultat. Aulon Kalaja pretendonte se kishte trafikim votash brenda partisë dhe beteja e tij ishte me kandidatin tjetër demokrat, ish-prokurorin Arjan Ndoja, i cili kishte një diferencë prej 1 mijë votash me të.
Më shumë diferenca u gjetën tek votat për kandidatët, të cilat në Tiranë ishin më shumë gabime njerëzore, ndërsa në Fier pati raste që dyshohen seriozisht për abuzime. Në Fier, rinumërimi i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por e refuzoi, duke ia lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.
KQZ ka certifikuar përfundimisht rezultatet për 8 qarqet e tjera, ndërsa janë shpërndarë edhe mandatet. Vendimi u mor pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimet e PD-së për këto qarqe, duke ezauruar të gjitha hallkat ankimuese për rezultatin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






