

KORÇË- Drejtori i ri i burgut të Drenovës është emëruar Lorent Nake. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka rikthyer në detyrë Naken, pasi ai ishte dorëhequr nga ky post në shkurt të vitit 2024, pas një drejtimi prej rreth katër muajsh. Ndërkohë drejtor i policisë së IEVP Drenovë është emëruar Artan Koçibelli. Këto emërime vijnë pas shkarkimit të Fatjon Fashos nga detyra një ditë më parë.
Largimi i Fashos erdhi për shkak të celularit që i është gjetur Laert Haxhiut dhe grupit të tij brenda në burg. Bashkë me Fashon u pezullua nga detyra dhe shefi i Policisë së IEVP Drenovë, Sokol Kacoli. Për sekuestrimin e telefonit SPAK po kryen hetime duke këqyrur jo vetëm aparatin celular, por edhe duke bashkëvepruar me autoritete të tjera, mbasi ka dyshime që bisedat e të fortit të Lushnjës janë sinjalizuar nga përgjimet që po mbahen për një çështje tjetër nën zhvillim e sipër.
Telefoni u gjet disa ditë më parë, gjatë një kontrolli që u krye pas një informacioni të siguruar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion (SHKB). Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme ndërhynë në qelinë e Haxhiut dhe sekuestruan telefonin celular. Laert Haxhiu, akuzohet si autori i Masakrës së Lushnjes. Haxhiu u ekstradua më 3 korrik të vitit të kaluar nga Greqia një vit pasi ishte arrestuar në shtetin fqinj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd