

Athinë, 6 korrik 2025 – Pas disa muajsh hetime të thelluara, autoritetet greke kanë arrestuar 12 persona, në lidhje me një konflikt të armatosur që ndodhi në shtator të vitit të kaluar jashtë një klubi nate në qytetin portual të Pireut. Të ndaluarit janë shtetas shqiptarë dhe grekë, të përfshirë në grupe kriminale rivale.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 29 shtatorit 2024, ku dy grupe të përbëra nga të paktën 6 persona secila fillimisht u përleshën fizikisht jashtë lokalit, përpara se të përdornin edhe armë zjarri, duke rrezikuar rëndë sigurinë publike në zonë.
Pas hetimeve të kryera nga autoritetet greke, u ushtruan kontrolle në banesat dhe mjetet e të dyshuarve, ku u sekuestruan:
3 armë zjarri: 2 pistoleta dhe 1 revolver
1 armë gjahu
2 karikatorë dhe një këllëf pistolete
Sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm
14 thika të ndryshme
Veshje të përdorura gjatë përplasjes
3 automjete dhe 1 motor
Tableta anabolike
2.4 gram marijuanë
175,470 euro cash
Gjithashtu, u sekuestruan doreza dhe objekte të tjera që dyshohet se janë përdorur gjatë incidentit.
Të arrestuarit përballen me një sërë akuzash të rënda, përfshirë:
Krijim të një organizate kriminale
Tentativë vrasjeje me dashje
Dëmtim të rrezikshëm trupor
Shkelje të ligjeve për armët dhe lëndët narkotike
Shkelje të detyrës
Sipas policisë greke, shumica e personave të ndaluar kanë të kaluar kriminale për vepra të mëparshme të ngjashme, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur tërësisht rrjetin kriminal dhe fushëveprimin e tij në zonën e Atikës dhe më gjerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd