

Në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë ndaluan dhe arrestuan shtetasin Alija Arslan, 34 vjeç, banues në Kërçovë, Maqedonia e Veriut. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve dhe ishte dënuar me 20 vjet burg në Zvicër.
Shtetasi Alija Arslan u kap gjatë kontrollit rutinë në hyrje të territorit shqiptar, ku pas verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën, u konstatua se ai ishte një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht. Arslan ishte shpallur në kërkim nga Interpol Bern/Zvicër, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Kantonit Argau.
Shtetasi Arslan është dënuar me 20 vjet burg në Zvicër për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, duke shkelur nenin 19 të Aktit mbi Narkotikët dhe Substancat Psikotrope të Kodit Penal Zvicerian. Veprimet kriminale të tij kishin ndodhur në periudha të ndryshme dhe përfshinin rrugë ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike.
Pas arrestimit të tij, Interpol Tirana dhe Interpol Bern/Zvicër kanë nisur procedurat për ekstradimin e shtetasit Arslan drejt Zvicrës, ku ai do të përballet me dënimin e shqiptuar.
Policia e Shtetit vazhdon angazhimin e saj për intensifikimin e kontrollit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimeve të rënda, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike, në kuadër të strategjisë për rritjen e sigurisë dhe përballjen me fenomenet e paligjshmërisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd