Transmetuar më 05-07-2025, 19:10

25.000 fishekë për “dasmat e Kretës” – Shpërbëhet rrjeti që importonte municione nga Shqipëria. Krismat në dasma po ‘ushqejnë’ krimin – Zbulohet rrjeti i fishekëve nga Shqipëria në Kretë: Fishekë për dasmat, jo për luftë – Por policia thotë ndryshe”

Një grup kriminal i specializuar në kontrabandën e municioneve është goditur nga policia greke, në një operacion të njëkohshëm në Hanía dhe Kastoriá, që çoi në shpërbërjen e një rrjeti që synonte të mbushte tregun e Kretës me fishekë, sidomos në pritje të dasmave dhe festave verore, ku “mballotitë” (qitjet në ajër) janë pjesë e traditës lokale.

“Truri” i rrjetit – një emër i njohur për autoritetet

Në qendër të grupit ishte një 65-vjeçar nga Kreta, i cili nuk është i panjohur për policinë, pasi edhe në vitin 2019 ishte kryesori i akuzuar për trafikimin e mbi 120.000 fishekëve dhe armëve automatike të tipit kallashnikov nga Shqipëria. Ai kishte krijuar lidhje të drejtpërdrejta me furnizues shqiptarë dhe përdorte metoda të sofistikuara shmangieje, si udhëtime pa celular dhe kalime kufitare në këmbë, për të mos lënë gjurmë.

Municionet, të destinuara për “shënjestër”… në dasma

Sipas policisë, rrjeti kishte importuar 25.000 fishekë nga Shqipëria, për t’i shpërndarë në tregun “informal” të Kretës, kryesisht për përdorim në dasma dhe festa – një zakon që vijon ende, pavarësisht rrezikut dhe ndalesave ligjore. Në të kaluarën, “sferadhedhes” (shitësit e fishekëve) shfaqeshin nëpër festa me furgonë të vegjël, duke furnizuar në vend të pranishmit me municione.

Operacioni policor dhe ndalimet

Operacioni u krye nga Njësia për Luftimin e Krimit të Organizuar të Greqisë së Veriut, ku u arrestuan 4 anëtarë të grupit, si dhe një person shtesë. U ngrit dosje penale për gjashtë persona në total, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shkelje të ligjeve për armëmbajtjen.

Rruga e trafikimit – nga kufiri shqiptar në portet greke

Në vitet më parë, armët futeshin në Kretë në mënyrë klandestine nga bregdeti jugor, përmes anijeve të vogla që i afroheshin anijeve të mëdha në det të hapur. Por sot, sipas burimeve të EL.AS., trafikimi bëhet më lirshëm përmes porteve kryesore të Heraklionit dhe Haniás, ku armët fshihen në ngarkesa të zakonshme – për shembull, në mes të ballave me kashtë, të pamundura për t’u kontrolluar plotësisht.

“Kush do t’i kontrollojë një nga një qindra tufa me kashtë në një kamion? Mjafton që disa armë dhe qindra fishekë të fshihen në zemër të ngarkesës dhe kalojnë pa u zbuluar,” – komentonin në mënyrë domethënëse oficerë të EL.AS.

Nga malet e Shqipërisë në malet e Kretës

Në hetimet e vitit 2019, i njëjti 65-vjeçar kishte pohuar se kishte sjellë 122.000 fishekë për të bërë… stërvitje me miqtë në male, duke mohuar çdo lidhje me tregtinë e armëve. Por autoritetet besojnë se ai mbetet një nga “lojtarët” më të fuqishëm në tregun e paligjshëm të municioneve në Kretë, dhe për këtë arsye përpiqej të furnizonte tregun lokal, sidomos në periudha kur kërkesa për fishekë rritet ndjeshëm për shkak të dasmave dhe festimeve tradicionale. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit