Transmetuar më 05-07-2025, 18:27

Vrasje misterioze në Agia Paraskevi, Athinë – Policia arrin të identifikojë viktimën dhe motivin pas atentatit

Një 43-vjeçar i vrarë pas një atentati me armë zjarri në rrugën Eirinis, në zonën e Agia Paraskevi, është kthyer në objekt hetimi të thelluar nga policia greke. Ngjarja ndodhi pasditen e të enjtes (4 korrik), rreth orës 16:15, në një lagje të qetë me banesa dhe pak dyqane, raporton noa.al.

Viktima dhe misteri i identitetit

Sipas burimeve policore, viktima nuk kishte me vete asnjë dokument identifikimi, ndërsa celulari i tij u gjet pranë trupit të tij në gjendje të rivendosur në gjendje fabrike, me menynë në gjuhën angleze.

Nga hetimet e para, bëhet fjalë për një shtetas të huaj, që nuk rezulton të ketë ndonjë të kaluar kriminale, dhe nuk ishte banor i zonës, çka i bën edhe më të paqarta motivet e vrasjes.

Policia përditësoi të shtunën se 43-vjeçari ishte polak, baba i dy fëmijëve. Ai kishte ardhur në Greqi për të parë dy fëmijët e tij dhe punonte si profesor në një universitet amerikan në SHBA.

Dyshimet janë se ish burri i partneres aktuale të profesorit polak mund të jetë vrasësi, por ai nuk gjendet për tu marrë në pyetje.

Një mundësi që autoritetet po shqyrtojnë është ajo e një "trekëndëshi dashurie", pasi dyshohet se pas vrasjes qëndrojnë motive personale, të lidhura me lidhjen dashurore të viktimës me partneren e tij aktuale.

Viktima, siç dëshmohet nga informacionet e deritanishme, nuk kishte qenë kurrë shqetësues për autoritetet, gjë që forcon mundësinë e motiveve personale pas vrasjes. Hetimet policore po vazhdojnë me ritëm intensiv, ndërsa priten edhe rezultatet nga kamerat e sigurisë në zonë.

Detajet e vrasjes

Sipas dëshmive dhe të dhënave të mbledhura:

Autori ishte veshur me të zeza, kishte maskë kirurgjikale, ishte shtatlartë dhe në formë fizike të mirë.

E qëlloi viktimën gjashtë herë, duke e goditur tre herë në qafë, plagë që i shkaktuan vdekje të menjëhershme.

U largua në këmbë, kundër drejtimit të qarkullimit të makinave, duke u zhdukur në rrugën Yavasi, që të çon në sheshin e Agia Paraskevit.

Në vendngjarje u gjetën të paktën pesë gëzhoja.

Pistat e hetimit

Policia po shqyrton dy skenarë kryesorë:

1. Përplasje për çështje personale – që aktualisht shihet si motivi më i mundshëm.

2. Vrasje me stil mafioz, e lidhur me rrjete të krimit të organizuar, e cila nuk përjashtohet ende.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal, dhe forcat e policisë kanë rrethuar zonën, ndërsa është në zhvillim një operacion për kapjen e autorit, që deri tani mbetet në arrati.

Hetimet po vazhdojnë me fokus të veçantë në kamerat e sigurisë së zonës dhe komunikimet telefonike të viktimës, për të hedhur dritë mbi motivet dhe autorin e atentatit. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit