Transmetuar më 05-07-2025, 18:00

Bashkia e qytetut Porrentruy në Zvicër u ka ndaluar të huajve hyrjen në pishina publike të qytetit pas incidenteve të ngacmimit të grave dhe sjelljes së dhunshme. Incidente të ngjashme janë raportuar kohët e fundit edhe në Gjermani.

Vetëm shtetasit zviceranë, personat me leje qëndrimi të përhershme dhe ata me leje pune të vlefshme në Zvicër do të lejohen të përdorin pishinën gjatë kësaj periudhe.

Turistët e huaj që qëndrojnë në një hotel apo kamping në Porrentruy mund të blejnë gjithashtu një kartë pushimi, e cila do t’u lejojë përdorimin e pishinës.

Herën e fundit që të huajt u ndaluan të përdornin pishinën ishte në vitin 2020, kur u mor vendimi që të lejohej hyrja vetëm për shtetasit zviceranë si pasojë e pandemisë së Covid-19.

Po çfarë e shkaktoi këtë ndalim? Sipas Lionel Maitre, përgjegjës i çështjeve të kohës së lirë në Shoqatën Komunale të Qarkut Porrentruy dhe njëkohësisht kryetar i komunës Boncourt, kjo ndodhi për shkak të sjelljes së keqe nga disa të rinj francezë nga ana tjetër e kufirit, raportoi gazeta.

Mbyllja e përkohshme e një pishine të jashtme në qytetin francez Delle, ngjitur me kufirin, e ka përkeqësuar situatën, por autoritetet presin që problemet të përsëriten edhe atje pas rihapjes më 8 korrik, tha Maitre.

Ai raportoi se janë vërejtur shumë raste sjelljesh të pahijshme në pishinën e Porrentruy nga të rinj, kryesisht që vijnë nga departamentet franceze Territoire de Belfort dhe Doubs, dy rajonet fqinje të Francës.

Incidentet përfshijnë "ngacmime ndaj vajzave të reja, përdorim të gjuhës së papërshtatshme, not me të brendshme dhe madje edhe sjellje të dhunshme pas vërejtjeve që u janë bërë," tha ai, sipas gazetës.

Siç është vënë re, janë regjistruar incidente të ngacmimit të grave, gjuhës së papërshtatshme, madje edhe sjelljes së dhunshme dhe mosrespektimit të paralajmërimeve nga personeli i sigurisë.

Shumë nga pushuesit vijnë nga "zona problematike përtej kufirit", tha zëdhënësi, duke iu referuar Francës. Megjithatë, kufizimet zbatohen për të gjithë të huajt, sqaroi ai, dhe fillimisht janë në fuqi deri më 31 gusht.

Incidentet e ngacmimit seksual

Javën e kaluar, vetëm të mërkurën, një ditë me vapë të madhe, u raportuan krime seksuale në pishinat publike në Gjermani, në Ludwigshafen në Rheinland-Pfalz, ku një bullgar 36-vjeçar u arrestua për ngacmim seksual të vajzave dhe grave të moshës 13 deri në 28 vjeç.

Ndërkohë në Ludwigsburg të Baden-Württemberg, një burrë ngacmoi tre djem të moshës 13 dhe 14 vjeç, dhe në Hamburg, një 24-vjeçar ngacmoi seksualisht një vajzë 14-vjeçare.

Disa ditë më parë, incidente të ngjashme u regjistruan në Gelnhausen, Hesse, ku katër sirianë, të moshës 18 deri në 28 vjeç, ngacmuan seksualisht gjithsej tetë vajza të mitura.

Në një pishinë tjetër, një burrë rumun u arrestua për ngacmim seksual të tre vajzave 10-vjeçare.

Vitin e kaluar, një nga pishinat më të mëdha publike të Berlinit u mbyll pas incidenteve të përsëritura të ngjashme.

423 raste të ngacmimit seksual në vitin 2024

Në total, Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) regjistroi 423 krime kundër vetëvendosjes seksuale në pishina publike në të gjithë vendin në vitin 2024. Nga 367 të dyshuarit e identifikuar, 81% ishin burra, prej tyre 64.5% ishin të huaj.

Në të njëjtën kohë, fushata informuese e qytetit Büren në Paderborn, North Rhine-Westphalia, në lidhje me incidentet e ngacmimit seksual në pishinat publike të qytetit po shkakton reagime.

Një nga posterat përshkruan një grua të bardhë si autore, e cila kap vithet e një djali me lëkurë të errët nën ujë. Djali madje mban një këmbë proteze. Mesazhi në poster është "Ndalo! Mos e prek!". "Kjo fushatë ka vetëm një fitues, Alternativën për Gjermaninë (AfD), por shumë humbëse, gra dhe vajza", komentoi kreu i Shoqatës së Policisë Gjermane, Rainer Wendt, ndërsa Ministri i Çështjeve Evropiane të Hessen, Manfred Penz, foli për një "shaka të keqe" dhe "tallje ndaj të prekurve".

Por çështja ka tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare, me aktivistin konservator amerikan dhe mikun e besuar të Presidentit Trump, Charlie Kirk, i cili shkruan në "X": "Qeveria gjermane ka publikuar një paralajmërim se gratë e bardha po ngacmojnë emigrantët e pambrojtur të cilët, për ndonjë arsye, kanë gjymtyrë protezë". /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit