

Ka nisur zbatimi në terren i aksionit të shumëpërfolur për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës. Task Forca e ngritur enkas për këtë qëllim, me në krye kryetarin e bashkisë Ermal Dredha, është angazhuar në pastrimin dhe çlirimin e zonave të zaptuara, jo vetëm përgjatë Lungomares, por në të gjithë qytetin.
Në operacion janë përfshirë strukturat e Bashkisë së Vlorës dhe policia bashkiake, të mbështetura nga Policia e Qarkut, me drejtues Elidon Çelën, si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të FNSH Fier.
Ky aksion vjen pas porosisë së qartë të dhënë nga Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite të fundit në qytetin bregdetar, ku theksoi nevojën për kthimin e hapësirave publike tek qytetarët dhe ndalimin e çdo forme abuzimi apo pushtimi pa leje.
Kreu i bashkisë, Ermal Dredha, theksoi se aksioni nuk do të jetë simbolik apo afatshkurtër.
“Ky është vetëm fillimi. Do të jemi në terren çdo ditë, derisa të rikthejmë çdo centimetër katror hapësirë publike tek qytetarët,” – deklaroi ai për mediat.
Në vijim të zhvillimeve në administratën vendore, Dredha komentoi edhe dorëheqjet e disa drejtuesve të institucioneve lokale, duke i cilësuar ato si të kërkuara prej kohësh për shkak të performancës së dobët dhe mungesës së angazhimit.
“Do të ketë një proces vlerësimi të detajuar për punën e secilit drejtues. Ata që nuk tregojnë përkushtim maksimal ndaj qytetit, do zëvendësohen menjëherë,” – paralajmëroi Dredha.
Aksioni pritet të vijojë në ditët në vijim me kontrolle në zona të tjera problematike, përfshirë sheshe publike, trotuare, bregdetin dhe hapsirat përreth institucioneve. Qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë dhe të respektojnë rregullat për mirëfunksionimin e jetës urbane gjatë sezonit turistik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd