

Tiranë, 4 korrik 2025 – Një rast i pazakontë ka përfunduar në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku një e moshuar 82-vjeçare po sfidon një gjobë të vendosur nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), pasi ka ushqyer macet endacake pranë banesës së saj.
Zonja Irini, e cila jeton në Tiranë, ka qenë prej vitesh një kujdestare e maceve të rrugës, përveç atyre që mban vetë në shtëpi. Por përkushtimi i saj ndaj kafshëve ka sjellë përplasje me autoritetet, të cilat e kanë gjobitur me 10 mijë lekë për "ndotje akustike", duke i kërkuar të largojë menjëherë macet nga ambienti përreth.
E moshuara ka refuzuar të pranojë gjobën dhe ka nisur një betejë ligjore, duke e çuar çështjen në gjykatë. Avokatja e saj, në një prononcim për Top Channel, ka theksuar se nuk ekziston asnjë ligj që ndalon mbajtjen apo ushqimin e maceve, veçanërisht kur ato nuk shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë.
Aktualisht, Gjykata Administrative ka hedhur shortin për çështjen dhe pritet të shqyrtojë kërkesën për sigurim padie në mënyrë të përshpejtuar – një hap ligjor që, nëse pranohet, do të pezullojë përkohësisht pagesën e gjobës deri në përfundimin e shqyrtimit të plotë të çështjes.
Zonja Irini, një figurë që ka fituar simpati në komunitet për dashurinë ndaj kafshëve, e konsideron vendimin e gjobës jo vetëm të padrejtë, por edhe një precedent negativ për trajtimin e kafshëve të rrugës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd