

Tiranë, 4 Korrik 2025 – Një 49-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, i dyshuar si pjesë e një grupi që në nëntor të vitit 2024 vodhi 30 mijë euro dhe sende me vlerë në një banesë në kryeqytet. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës.
Operacioni policor i koduar “November” u finalizua pas administrimit të informacionit në rrugë operative nga shërbimet e Komisariateve Nr. 1 dhe Nr. 6 në Tiranë. Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe u ndalua shtetasi A. Ç., 49 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, A. Ç. ka vepruar në bashkëpunim me shtetasin Xh. C., i cili tashmë është arrestuar, dhe me një tjetër bashkëpunëtor që vijon të jetë në kërkim. Vjedhja është kryer në një banesë, ku janë marrë 30 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë të konsiderueshme.
Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e të tretit të përfshirë, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd