Transmetuar më 04-07-2025, 12:59

KUKËS- Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Kukës, pasi akuzohen për trafikimin e armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri me qëllim shitjen e tyre.

Në pranga janë vënë dy shtetasit nga Kosova, Shkëlqim Qenaj dhe Avdulla Mallaki, ndërkohë janë shpallur në kërkim dy blerësit e armëve. Ata u larguan sapo kanë konstatuar praninë e policisë dhe po punohet për kapjen e tyre.

Nga kontrollet në automjetin me drejtues Mallakin, policia gjeti dhe sekuestroi 8 pistoleta.

NJOFTIMI I POLICISË:

Kukës/Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, me qëllim shitjen.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.

Sekuestrohen 8 armë zjarri pistoleta. Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë që i kishin trafikuar armët nëpërmjet kufirit jeshil me Kosovën, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në trafikimin e armëve dhe të shtetasve që do të blinin armët, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për shkak të hetimit.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Kalibri”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy banues në Prizren.

Në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin Sh. Q., gjetën 8 armë zjarrri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar.

Për shkak të hetimit nuk i bëjmë me dije të dhënat e këtyre shtetasve. Vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit